Unë dhe dy vëllezërit e mi erdhëm në Norvegji në dhjetor të vitit 2016. Ne veshëm rroba vere pasi menduam se në Norvegji do të ishte po aq ngrohtë sa në Somali. Megjithatë, kur arritëm në aeroport, po binte borë. Ne kishim ftohtë dhe moti ishte i freskët. Edhe pse kishim marrë disa valixhe, në to kishte vetëm rroba vere.
Edhe pse ishte ftohtë, unë isha shumë e lumtur kur erdhëm në Norvegji. Më në fund do të takoja përsëri nënën time që nuk e kisha takuar prej gjashtë vitesh. Nëna ime me dy prej mikeshave të saj na takuan. Kur e pamë, po qanim prej gëzimit. Udhëtuam për në qytetin e vogël ku jeton nëna.
Ditët e para në qytetin e nënës ishin shumë të çuditshme. Ishte ftohtë dhe binte borë dhe nuk kishte shumë gjëra për të parë. Rrugët ishin komplet bosh. Ata pak njerëz që takova dukeshin të ftohtë dhe jo miqësorë. Në Somali kishte njerëz kudo, kështu që çdo gjë dukej e huaj këtu. Nëna ime dhe mikeshat e saj na dhanë disa dhurata, dhe më pas ajo na shoqëroi që të blinim rroba dimri.
Pas pushimeve të Krishtlindjeve u regjistrova në një kurs për norvegjisht në qendrën e edukimit për të rritur. Studiova aty për dy vite para se të filloja në një shkollë të zakonshme. Tani jam në vitin e fundit, dhe kam zënë shumë miq të rinj. Jam shumë e shoqërueshme dhe më pëlqen të takoj njerëz të tjerë.
Pas shkollës shkoj në një qendër vullnetare ku më ndihmojnë me detyrat. Jam bërë gjithashtu pjesë e një kursi rrobaqepsie në qendër.
Në Somali nuk kisha shkuar kurrë në shkollë ose në ndonjë kurs përveç shkollës së Kuranit. Nuk dija të lexoja apo të shkruaja. Tani kam mësuar të shkruaj në gjuhën somaleze edhe norvegjeze, dhe shumë lëndë të tjera. Pa arsim ndihesha askushi. Tani ndihem e ditur dhe e lumtur.
Vitin tjetër do të nis shkollën e mesme në degën e shëndetit dhe zhvillimit të të rinjve. Në të ardhmen dua të punoj me të rinjtë. Kur të kem përfunduar arsimin, ëndrra ime është të gjej një punë të përhershme. Gjithashtu dua të mësoj si të drejtoj makinën dhe të marr patentën.
Po të kisha ndenjur në Somali, mendoj se tani do të isha bërë nënë. Ndoshta do të kisha shumë fëmijë. Po të isha në Somali, nuk do të kisha pasur të njëjtat mundësi që kam pasur tani. Ndihem me fat që jetoj në Norvegji.